Zgjedhjet e 14 majit, Alibeaj shpjegon se si duhet të jetë kandidati demokrat

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2022, 20:25 | Politikë
Zgjedhjet e 14 majit, Alibeaj shpjegon se si duhet të jetë kandidati

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, deklaroi se kjo parti do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale “në të 61 bashkitë, me këshillin bashkiak dhe me një kandidat”.

“Partia Demokratike nuk mund t’ia lejojë vetes të mos futet në zgjedhje. Unë përgjigjem vetëm për këtë pjesë. PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhje në të 61 bashkitë, me këshillin bashkiak dhe me kandidatët. PD-ja do të dalë me një kandidat. Nëse i referoheni 6 marsit, PD-ja ka pasur një kandidat, ndërsa kandidati tjetër ka qenë i Shtëpisë së Lirisë, që ishte koalicioni mes LSI-së dhe Partisë Demokristiane”, u shpreh Alibeaj

Sipas tij, “kandidati fitues duhet të jetë i pëlqyeshëm nga publiku”.

“Unë besoj në disa vlera idealiste, besoj që ai kandidati nuk duhet të ketë gjurmë të korrupsionit, nuk duhet të ketë gjurmë të lidhjes me krimin dhe duhet të jetë antiteza e kandidatëve që paraqiten nga mazhoranca. Publiku, ai që përcakton fituesin, nëse nuk sheh shëmbëlltyrën e vet te kandidati, mund të bësh aleancën më të madhe artificiale, e të dalësh zero me xhufkë”, deklaroi Alibeaj.

“Arma e vetme e opozitës kundër mazhorancës është morali. Në kushtet e një regjimi, arma e vetme e publikut është morali”, theksoi më tej kreu i grupit parlamentar të PD-së. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos