Zgjedhjet e 25 prillit, publikohet Lista Përfundimtare e Zgjedhësve

Nga A2 CNN
17 Mars 2021, 10:50 | Politikë
Zgjedhjet e 25 prillit, publikohet Lista Përfundimtare e Zgjedhësve

Ministria e Brendshme ka publikuar listën përfundimtare të zgjedhësve, për zgjedhjet e 25 prillit.

Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, të drejtën e votës e kanë 3 588 869 shtetas shqiptarë, nga të cilët: 50.5 % e tyre janë votues meshkuj dhe 49.5 % e tyre janë votues femra; 107 024 zgjedhës votojnë për herë të parë; 1098 shtetas janë të bllokuar si shkak, apo si rrjedhojë e ligjit të dekriminalizimit; numri total i qendrave të votimit është 5199 në rang vendi.

Ministria e Brendshme thekson se i gjithë ky proces i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve teknicienë të Komisionit Qendror të Zgjedhësve. Në çdo etapë të tij, auditët kanë pasur të njëjtin akses që ka Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.

“Çdo qytetar është i lutur të verifikojë emrin e tij në listën e zgjedhësve nëpërmjet shërbimit online në portalin “e-albania” si dhe për çdo pretendim mund t’u drejtohet zyrave të Gjendjes Civile në bashki dhe njësi administrative, të cilat do të vijojnë të qëndrojnë të hapura nga dita e hënë, deri në ditën e shtunë”, lexohet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos