
Presidenti Meta dekretoi këtë të enjte datën 6 marsin për të mbajtur zgjedhjet e pjesshme lokale në 6 bashki të vendit.
Për këtë temë u diskutua edhe në Debat nga Alba Alishani, nga ku Petro Koçi, deputet i PS, u shpreh se pavarësisht situatës me PD-në e ndarë, mazhoranca do të përdorë të gjithë arsenalin organizativ për të fituar në këtë zgjedhje.
“Kompleksim mund të quhet fati i opozitës, pasi është ndarë në dy pjesë. Sigurisht që nuk është luftë për jetë a vdekje. Bëhet fjalë për 6 bashki, të cilat do të kenë një kryetar për gati një vit, pasi do të bëhen zgjedhjet e ardhshme.
Sigurisht që ne do të futemi në këto zgjedhje për të fituar. Jemi partia më tradicionale, por edhe më moderne në vend. Ne kemi një organizim thuajse perfekt nga çdo pikëpamje, kemi strukturë shumë efikase kudo. Edhe në këto zgjedhje do të përdorim të gjithë arsenalin tonë organizativ për t’i fituar zgjedhjet, kryesisht ato struktura që janë pjesë e partive që do të jenë në garë”, tha Petro Koçi në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN. (A2 Televizion)