
Roskoveci ishte ndalesa e radhës e Sali Berishës në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Teksa prezantonte kandidatin për kryetar bashkie, Erdit Hazizajn, Berisha akuzoi kandidaten e PS-së dhe kryebashkiaken aktuale të Roskovecit se postin që mban e ka falë lidhjeve të drogës që kanë familjarët e saj. Më tej, Berisha e vijoi fushatën në bashkinë e Pustecit ku kandidatja për kryetare bashkie është Sofie Alushaj.
Nga kjo bashki, ai i kërkoi socialistëve të mos e pranojnë kandidatin e tyre në fushatë për sa kohe nuk tregon akuzën që rëndon mbi bashkëshorten e tij.
“Mos e pranoni në asnjë mënyrë në fushatë pa sjellë të shoqen. Po këta kanë humbur çdo cipë. Nuk kanë asnjë respekt për ju dhe qytetarin. E shoqja në kërkim dhe ky vjen të kërkojë votat. E shoqja ka bërë batërdinë në hipotekën e Sarandës, është në kërkim, dhe ky ka kurajë të kërkojë vota”.
14 majin, Berisha e cilësoi ditën e llogaridhënies dhe ndryshimit për shqiptarët. (A2 Televizion)