PD zyrtare hap fushatën, Bejko: Berisha të heqë gishtat nga sytë e demokratëve, ne jemi e vetmja alternativë e djathtë

Nga A2 CNN
18 Prill 2023, 18:58 | Politikë
PD zyrtare hap fushatën, Bejko: Berisha të heqë gishtat nga

Partia Demokratike zyrtare ka hapur të martën zyrtarisht fushatën me kandidatin për kryebashkiak të Tiranës, Roland Bejko.

“Frymëmarrje për Tiranën” do të jetë slogani me të cilin kandidati i PD-së zyrtare do të garojë përballe Erion Velisë të Partisë Socialiste dhe Belind Këlliçit të “Rithemelimit.”

Hapja e fushatës nisi me një fjalim të Enkelejd Alibeajt i cili akuzoi Sali Berishën se ka përçarë Partinë Demokratike dhe se refuzoi dorën e shtrirë për bashkëpunim në këto zgjedhje vendore, duke i çuar kështu “demokratët te socialisti Ilir Meta.”

Pas fjalimit të kreut të komanduar Enkelejd Alibeaj, fjalën e mori Roland Bejko i cili po ashtu iu drejtua Sali Berishës duke i kërkuar që të heqë “gishtat nga sytë e demokratëve.”

Jemi këtu për t’u thënë të gjithë miqve tanë demokratë që kjo është partia e tyre, kjo është shtëpia e tyre dhe jo LSI, e drejtuar nga Ilir Meta,” deklaroi Bejko.

Bejko theksoi se grupimi në të cilin ai bën pjesë është alternativa e vetme e së djathtës shqiptare.

“Besoj fort se ne do të dalim me kokën lart dhe fitues. Unë kam besim te ju, te njerëzit e thjeshtë të Tiranës, se mund ta nxjerrim çirakun Erion Veliaj nga zyra që ka zaptuar,” shtoi ai.

Për qytetarët e Tiranës, Bejko listoi 15 premtime që përfshinin zotime për një kryeqytet më mikpritës për studentët, taksa zero për sipërmarrje kulturore dhe artistike apo individë, heqjen e monopolit në tregjet e ushqimeve, hapjen e një muzeu për viktimat e regjimit komunist, “transport publik të kronometruar”, e të tjera. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos