Partia Demokratike zyrtare ka marrë rezultatin më të dobët në historinë e saj në zgjedhjet e 14 majit. PD u fut në garë me 14 kandidatë, por në fund, asnjëri prej tyre nuk arriti të sigurojë fitoren.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 14 kandidatët e Partisë Demokratike zyrtare kanë arritur të marrin 36417 vota në total.
Më pranë fitores ishte Agron Kapllanaj në bashkinë e Mallakastrës. Ai mori 5789 vota, por në fund fitues u shpall kandidati i PS, Qerim Ismailaj, i cili mori 6079 vota. Më shumë vota mori Roland Bejko në Tiranë, 12388 vota, por ato përbëjnë vetëm 4,27% të totalit të kryeqytetit, duke e zbritur këtë kandidat në vendin e katërt pas Veliajt, Këlliçit dhe Arlind Qorit.
Ndërkohë, më pak vota nga 14 kandidatët e Partisë Demokratike mori Adriatik Spahiu në Tepelenë, vetëm 137 vota. (A2 Televizion)













