
Armin Laschet do të jetë kandidati i CDU-së së Angela Merkelit, për të pasuar kancelaren në zgjedhjet e shtatorit. Lideri i partisë siguroi mbështetjen e 77.5 për qind të pjesëtarëve të bordit ekzekutiv të CDU-së. Rivali Markus Soeder, i cili kryeson partinë simotër CSU, u përkrah nga 22.5 për qind e bordit.
“Shumë gjëra janë në lojë, Europa po sheh se si Gjermania po zhvillohet. Bota pret një Gjermani të qëndrueshme dhe si parti e unionit demokratik kemi një përgjegjësitë veçantë”, tha lideri i CDU, Armin Laschet.
Angela Merkel e cila ka qenë kancelare që prej vitit 2005, do të braktisë skenën politike pas zgjedhjeve të 26 shtatorit. 60-vjeçari Laschet, u zgjodh si lider i CDU-së në muajin janar, kur e prezantoi veten si kandidati i vazhdimësisë së udhëheqjes Merkel. Ai është kryeministër i Renanisë-veriore-Vestfali, landi më i populluar i Gjermanisë.
I rikthyer në skenë pas disfatave të mëhershme, ai njihet për pikëpamjet liberale, pasionin për BE dhe aftësinë për t’u lidhur me komunitetet e emigrantëve. Megjithatë, sondazhet tregojnë se Soeder është më popullor se Laschet, dhe sipas një sondazhi 72 për qind e votuesve konservatorë e konsideronin atë si më të përshtatshëm për kancelar.
Deri më tani, asnjë kancelar nuk ka ardhur nga radhët e CSU. Sipas një sondazhi javën e kaluar, aleanca konservatore gëzon 27 për qind të mbështetjeve, ndërsa të Gjelbrit 23 për qind. (A2 Televizion)