
Në garën për kryeministër në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev konkurron me maqedonasin tjetër Hristian Mickovski nga radhët e VRMNO-DPMNE.
Por Bashkimi Demokrat për Integrim, i kryesuar nga Ali Ahmeti, beson se edhe në këto zgjedhje do të ketë çelësin e krijimit të qeverisë dhe se do ta shfrytëzojë atë për emërimin e atij që e konsideron jo vetëm si kryeministri i parë shqiptar por edhe me të kualifikuarin për këtë post.
“Shkojmë me kandidat për kryeministër shqiptar, por jo vetëm si shqiptar. Ne mendojmë që është edhe për nga dituria, arsimimi, përvoja, dukshëm i tejkalon dy kandidatët e palës maqedonase. Ne mendojmë se do të jemi çelësi i qeverisë të ardhshme dhe kësaj radhe nuk do ta përdorim për të zgjedhur një alternativë nga pala maqedonase, por do të bëjmë çmos që Naser Ziberi të jetë kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë”, tha për A2 Izet Mexhiti, kandidat i parë i BDI në Çair.
Në shtetin ku koronavirusi ka prekur mbi 8 mijë vetë e ka marrë gati 390 jetë njerëzish, shqetësimet për pjesëmarrje të ulet ne zgjedhe ishin të mëdha. E megjithatë deri në orën 13:00, u raportua se 24% e zgjedhësve ishte drejtuar në qendrat e votimit. Pjesëmarrja ishte e kënaqshme edhe në Çair, komune më shumicë shqiptare, ku hija e pandemisë, nuk pengoi qytetarët të shprehnin vullnetin e tyre. (A2 Televizion)