Zgjedhjet në veri, Lista Serbe fiton në të katërta komunat

Nga A2 CNN
20 Maj 2019, 11:28 | Kosova
Zgjedhjet në veri,  Lista Serbe fiton në të katërta komunat

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës për kryetarët e komunave në veriun e Kosovës, rezultuan me fitoren e Listës Serbe në të katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan.

Subjekti politik i themeluar dhe mbështetur nga Beogradi, u përball ne këto zgjedhje me kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakic, shpalli fitoren në mesnatë, duke e quajtur atë një fitore të popullit dhe shtetit serb.

“Shpallim fitoren e Listës Serbe, përkatësisht fitoren e popullit serb. Ajo që dua në fillim të them është se bojkoti i opozitës nuk ka pasur sukses. Lista Serbe ka fituar mbi 90% të votave në katër komunat veriore. Faleminderit shtetit të Serbisë, Marko Gjuric, Aleksandar Vucic, Qeverisë së Serbisë, për apelin që i kanë bërë popullit serb për unitet”, tha Rakic.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic i përcolli urimet përmes telefonit dhe vlerësoi se zgjedhjet e së dielës ishin “konfirmimi më i mirë për unitetin politik të serbëve rreth interesave kombëtare dhe shtetërore të Serbisë”.

Ndërkaq, udhëheqësit politikë të Kosovës e vunë theksin tek procesi i rregullt e pa incidente. Kryeministri Ramush Haradinaj përshëndeti pjekurinë e qytetarëve, që siç tha votuan pa ndonjë incident, ndërsa kryetari i Parlamentit dhe Partisë Demokratike, Kadri Veseli, tha se zgjedhjet konfirmuan sovranitetin institucional dhe territorial i Republikës së Kosovës.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në votime morën pjesë 24 mijë e 600 votues nga rreth 58 mijë të regjistruar. Të 4 komunat serbe janë pa kryetarë që nga 27 nëntori i vitit të kaluar kur ish kryetarët dhanë dorëheqje në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos