Grupimi i Sali Berishës do të mbajë më 27 gusht Primaret për zgjedhjen e kandidatit që do të garojë më pas për Bashkinë Kukës.
Siç bën të ditur ky grupim, në Primare do të marrin pjesë gjashtë kandidatë.
Kandidatët që do të garojnë për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 24 shtatorit janë Ardian Elezi, Arif Rexhmati, Emri Vata, Gëzim Shehu, Uran Cengu dhe Ylber Zeneli.
Dega ka sjellë 10 propozime, dhe deri në afatin e fundit për pranimin e dokumentacionit formularët u plotësuan nga gjashtë kandidatët e përmendur më sipër, prej të cilëve një është i vetëpropozuar.
Ndërkohë, një prej kandidatëve Arif Rexhmati i cili përfaqëson PD-në zyrtare, pas shpalljes së kanidaturës shprehet se në situatën në të cilën ndodhet aktualisht partia, ai ka shprehur gatishmërinë për një proces që do të ishte përbashkues.
Sipas tij, organizimi i një procesi Primaresh, një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve por edhe në një kohë kur demokratët janë të ndarë në tre pjesë, nuk i shërben konsolidimit të strukturave.
Për më tepër, Rexhmati vë në pikëpyetje besueshmërinë e procesit duke shtuar se mund të bëhet burim konflikti.
Ai bën apel që kandidati për Kukësin të jetë “rezident, gjithëpërfshirës, konsensual dhe përbashkues.” (A2 Televizion)
