
Ministrat e Brendshëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, janë mbledhur në Bruksel për të vendosur nëse do të pranojnë Bullgarinë, Rumaninë dhe Kroacinë në zonën Shengen.
Kroacia pritet t’i bashkohet zonës europiane të lëvizjes së lirë, por zërat kundër të udhëhequra nga Austria, duket se do të pengojnë dhënien e dritës jeshile për Bullgarinë dhe Rumaninë.
E ashtuquajtura zona Shengen, një pakt mes shteteve anëtare për eliminimin e kontrolleve kufitare për ata që udhëtojnë mes territoreve të tyre, është ndër arritjet më të mëdha të integrimit europian.
Por marrëveshja është vënë nën presion të shtuar gjatë dekadës së fundit, duke kufizuar aftësinë e shteteve anëtare për të mbajtur nën kontroll emigracionin dhe për të gjurmuar në mënyrë efektive kërcënimet e sigurisë.
Komisioni Evropian u ka bërë thirrje vendeve të bllokut që të mundësojnë hyrjen e këtyre shteteve në zonën e lëvizjes së lirë, mirëpo jo të gjithë e mbështesin propozimin. Kancelari austriak, Karl Nehammer, tha më herët, këtë javë, se Vjena e kundërshtonte hyrjen e Rumanisë dhe Bullgarisë dhe se kërkonte më shumë kohë. (A2 Televizion)