Zgjidhet kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese

Nga A2 CNN
20 Shkurt 2023, 10:53 | Aktualitet
Zgjidhet kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese

Holta Zaçaj është kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese. Zaçaj është zgjedhur me votim. Në këtë raund të tretë të votimit, Zaçaj mori shumicën e kërkuar ligjore për t’u zgjedhur në krye të Kushtetueses.

Kujtojmë se javën e kaluar Kushtetuesja regjistroi dy raunde të dështuara të zgjedhjes me votë të kryetarit të ri. Në përballjen e parë mes kandidateve, Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj, asnjëra prej tyre nuk mundi të marrë 5 vota, që është numri minimal i kërkuar nga ligji për zgjedhjen e kryetarit.

Raundi i dytë i votimit, i mbajtur të premten, nuk dha rezultat, madje, votat u ndanë në mënyrë të barabartë.

Për këtë shkak, Mbledhja e Gjyqtarëve të Kushtetueses caktoi 20 shkurtin për një raund të tretë votimi, mundësia e fundit që ligji jep për zgjedhjen e kreut të ri përmes votimit të fshehtë.

Referuar ligjit “për organizimin dhe funksionimin e Kushtetueses”, në këtë raund garojnë 2 kandidatët me më shumë vota, por barazia në vota e bëri dhe këtë përballje me tre kandidatë.

Gjykata Kushtetuese u plotësua me 9 anëtarët e saj me mandat të plotë më 16 janar, me emërimin e anëtares Holta Zaçaj, e cila pasoi në detyrë ish-kryetaren Vitore Tusha.

Vitore Tusha qëndroi në detyrë gati pesë vite përtej mandatit kushtetues dhe për dy vite ishte e vetmja anëtare e “mbijetuar” nga vettingu në drejtësi, njëkohësisht personi që mbajti hapur derën e institucionit. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/02/03/kush-jane-tri-grate-ne-gare-per-kreun-e-gjykates-kushtetuese/
https://a2news.com/2023/02/19/mundesia-e-fundit-deshtimi-i-votimit-te-fshehte-kushtetuesja-drejt-shortit/

A2 CNN Livestream

Latest Videos