“Zgjidhje me kompromis për detin”, Xhaçka i kërkon Dendias njohje të pensioneve dhe avancim të gjuhës shqipe në Greqi

Nga A2 CNN
21 Dhjetor 2022, 10:37 | Politikë
“Zgjidhje me kompromis për detin”, Xhaçka i kërkon

Çështja e zonave detare, njohja e pensioneve dhe gjuha shqipe në Greqi ishin disa nga çështjet që janë diskutuar në takimin e ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, me homologun e saj grek, Niko Dendias. Në konferencën e përbashkët për shtyp ministrja Xhaçka theksoi se të dyja vendet kanë interes për zgjidhjen me kompromis të çështjes së zonave detare.

“Kemi mirëkuptim dhe për të trajtuar zgjidhje për gjithë gamën e çështjeve të vështira të trashëguara nga historia dhe një nga çështjet ishte ajo e kufizimit të zonave detare që është në interes. Të dyja palët kanë vullnetin për kompromisin që do bënte të mundur referimin në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë”, tha Xhaçka.

Ministrja njoftoi se i ka paraqitur kërkesën për mbrojtje sociale dhe pensionet që të përfitojnë shqiptarët në Greqi dhe për avancimin e gjuhës shqipe në shtetin helen.

“Thellim i marrëdhënieve ekonomike, bashkëpunim në fusha si mbrojtja sociale e kultura, fusha ku komuniteti shqiptar në Greqi e minoriteti grek në Shqipëri janë ura për thellimin e bashkëpunimin. Produkt i këtij diskutimi është edhe kërkesa jonë për një mbrojtje sociale apo pensionet që do të përfitojnë shqiptarët në Greqi. Diskutuam për kërkesën tonë për të avancuar në gjuhën shqipe në Greqi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos