Një ditë para vizitës së Mitsotakis në jug, mbërrin nesër në Shqipëri kryediplomati grek, takon Xhaçkën e drekon me Ramën

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2022, 19:12 | Politikë
Një ditë para vizitës së Mitsotakis në jug,

Një ditë para vizitës së Kryeministrit grek, Kiriakos Mitsotakis, në vendin tonë, do të jetë ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias, i cili do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri, ku pritet të takohet me homologen e tij shqiptare, Olta Xhaçka dhe më pas do të zhvillojë një drekë pune me Kryeministrin Rama.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”, kryediplomati grek u shpreh se diskutimet do të fokusohen në rrjedhën e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet aktuale ndërkombëtare dhe rajonale (si pushtimi rus i Ukrainës), zhvillimet në Mesdheun Lindor dhe çështjet që lidhen me perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

“Gjatë qëndrimit tim në Tiranë do të vizitoj edhe Kolegjin Greko-Shqiptar Arsakeio, si dhe shkollën shqiptaro-amerikane "Protagonides", e cila funksionon nën fondacionin "Fryma e dashurisë" të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.”, njofton Dendias në lidhje me axhendën e tij të nesërme në vendin tonë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias

Kujtojmë se, Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis, do të rikthehet në Shqipëri më 22 dhjetor në mëngjes për të vijuar me takimet që nuk u zhvilluan më 6 dhjetor.  Shefi i qeverisë së vendit fqinj nuk do të jetë në kryeqytetin shqiptar, por vizita e tij do të përqendrohet në jug të vendit, Himarë, Finiq dhe Dropull.

Burime nga pala greke bëjnë me dije se Mitsotakis do të jetë në Himarë në orën 09:30 të mëngjesit të së enjtes përballë zyrave të Omonias. Më pas, do të vizitojë një shkollë, kishën e fshatit dhe takime me qytetarët e minoritetit greke në këto zona. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2022/12/20/dendias-vizite-ne-kosove-ujdite-me-serbine-te-respektohen/

A2 CNN Livestream

Latest Videos