“Zgjohet” Etna, retë e hirit nga shpërthimi i vullkanit bllokojnë fluturimet në Siçili

Nga A2 CNN
22 Maj 2023, 13:31 | Bota

Fluturimet nga aeroporti i Katanias në Siçili u ndaluan nga e diela deri në orën 09:00 të mëngjesit të kësaj të hëne, pasi vullkani Etna u “rizgjua”, duke shpërthyer dhe hiri vullkanik mbuloi pistat.

Autoritetet e aeroportit njoftuan se fluturimet do të pezulloheshin për shkak të pasojave nga shpërthimi, ndërsa raportimet e mediave vendase tregojnë se fluturimet kanë rifilluar vetëm mesditën e së hënës.

Pamjet nga aeroporti “Vincenzo Bellini” tregojnë hirin e zi vullkanik që mbulon avionët në aeroport dhe rrugët në zonën përreth.

Hiri u prodhua nga një shpërthim paroksizmal që lëshoi llavë më shumë se 10 kilometra në ajër”, tha për CNN Boris Behncke, një vullkanolog në Observatorin Etna të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë.

Observatori tha në një deklaratë se faza e shpërthimit përfundoi rreth orës 21:00 të mbrëmjes, por nuk mund të parashikonte se kur mund të fillonte një fazë e re shpërthimesh.

Retë e hirit vullkanik janë një rrezik serioz për aviacionin, duke reduktuar dukshmërinë dhe dëmtuar kontrollet e fluturimit, duke shkaktuar probleme në motorët e avionëve.

Në vitin 2010, një shpërthim vullkanik në Islandë ngriti një re të madhe hiri që lëvizte përtej Atlantikut, duke shkaktuar ndërprerje masive në trafikun ajror në të gjithë Evropën Perëndimore.

Pas krizës, rregullatorët ndërkombëtarë të aviacionit prezantuan udhëzime të reja për menaxhimin e rrezikut mbi sigurinë e fluturimit dhe hirin vullkanik.

Mali Etna është vullkani më aktiv në Evropë, dhe gjithashtu më i larti. Ai ndodhet në bregun lindor të Siçilisë, në veri të qytetit të Katanias.

Shpërthimet e Etnas janë relativisht të shpeshta, duke rezultuar në një peizazh që ndryshon vazhdimisht ndërsa lava ngurtësohet, krateret shemben dhe në disa raste, krijohen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos