“Zhduket” mësimi online, ministria ndryshon vendimin, rektorët ende të pavendosur

Nga A2 CNN
1 Tetor 2021, 14:35 | Sociale
“Zhduket” mësimi online, ministria ndryshon vendimin,

Ministria e Shëndetësisë ka ndryshuar vendimin për zhvillimin e mësimit në universitete. Për të qenë të pranishëm në auditorë, studentët duhet të jenë të vaksinuar ose të paraqiten me test PCR.

Më 24 shtator, Ministria e Shëndetësisë botoi urdhrin e parë, ku u jepte mundësinë studentëve të pavaksinuar ta ndiqnin mësimin online.

“Për studentët që nuk paraqesin certifikatën e vaksinimit COVID-19 apo kartën e vaksinimit, drejtuesit e Institucioneve të Arsimit Universitar të marrin masa për ofrimin e studimit në platforma alternative, duke filluar nga 11.10.2021”, thuhet në urdhrin e botuar.  

Referuar ndryshimeve të fundit rektorët dhe dekanët u mblodhën sërish, këtë të premte, për një diskutim, por që nuk arritën të merrnin një vendim, as në bazë të autonomisë universitare. Burime pranë rektoratit i thanë A2 CNN se universitetet po presin që fjalën e fundit ta thonë ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë.

“Nuk ka ende një vendim për mënyrën e zhvillimit të vitit akademik. Është ende në proces diskutimi Universiteti me Ministrinë e Arsimit. Ndoshta një vendim do të merret të shtunën ose ditët në vijim. Çështja është delikate dhe nuk është e lehtë marrja e një vendimi. Presim udhëzime edhe nga Ministria e Shëndetësisë”, sqarojnë burimet.

Universitetet kanë nisur të pyesin studentët se sa prej tyre e kanë kryer vaksinën për të pasur një numër të saktë të tyre por ende nuk ka një publikim zyrtar. Shifrat e vetme vijnë vetëm nga pyetësorët online.

“Kemi anketuar mbi 2200 studentë nga të gjitha universitetet, 36% e kanë bërë, 13% mund ta bëjë, ndërsa 54% nuk e kanë bërë”, thotë Gevio Tabaku, nga Bordi Kombëtar Studentor. Në këtë situatë, duket se shumica e studentëve nuk janë vaksinuar ende. Skeptike janë dhe shifrat që autoritetet shëndetësore japin. Nga grupmosha 18-30 vjeç është vaksinuar jo më shumë se 25% e tyre, çka përkon me moshën studentore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos