Një 40-vjeçar, i identifikuar si Rrapush Çeça, është zhdukur pa gjurmë, në qytetin e Elbasanit.
Denoncimi u bë nga i vëllai i tij, që njoftoi se Çeça, ka humbur kontaktet me familjen prej mëngjesit të sotëm.
Sikurse njoftohet, 40-vjeçari ka dalë nga banesa me automjetin e tij me tagra AA 531 VS, dhe iu ka thënë familjarëve se po shkonte të kryente disa ekzaminime mjekësore. Megjithatë pas verifikimit nga ana e të afërmëve, rezulton se ai nuk ka qenë në qendrën spitalore, pasi nuk figuron në regjistrat e sotëm.
Një ditë më pas, policia ka bërë të ditur se 40-vjeçari është përfshirë në një aksident me makinë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan.
“Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, në fshatin Shijon, shtetasi Rr.Ç., 40 vjeç, banues në Elbasan, duke drejtuar mjetin tip "Seat" ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga dhe për pasojë është plagosur vetë drejtuesi i mjetit i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Elbasan mbrëmjen e djeshme, për largim nga banesa pasi kishin bërë kallëzim familjarët se kishin humbur kontaktet me këtë person. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të tij”, thuhet në njoftimin e policisë. (A2 Televizion)
