
Vazhdon të digjet ishulli i Gran Kanaries në Spanjë. Të paktën 9 mijë vetë janë evakuuar si pasojë e zjarrit që shpërtheu të shtunën, e që po përparon në dy fronte të zonës malore të ishullit.
Përpjekjet për shuarjen e flakëve po pengohen nga temperaturat e larta, erërat e forta dhe lagështia e ulët, ndërsa autoritetet flasin për një tragjedi të paprecedentë ambientaliste. Rreth 14 avionë dhe helikopterë, ashtu si dhe 700 zjarrfikës janë mobilizuar në zonë.
Deri më tani, zjarri i ka kursyer zonat rezidenciale dhe ato të frekuentuara nga turistët, por është përhapur në parkun natyror të Tamadaba, ku gjenden pyjet me pisha më të vjetra të ishullit.
“Më thanë se duhet të zhvendosesha, se duhej të dilja menjëherë për shkak të zjarrit e veçanërisht tymit. Ishte shumë nxehtë”, thotë një banore e zonës.
Në disa zona, flakët ishin aq të larta sa avionët që hedhin ujë e kishin të pamundur të operonin. Zjarri nisi pranë qytezës së Tejedas. Gjatë natës, zona e prekur u zgjerua nga 3400 në 6000 hektarë, ndërsa u raportuan për flakë deri në 50 metra lartësi. Autoritetet lokale kanë kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore.
Mbi 170 zjarrfikës po luftojnë me zjarrin edhe në qytetin spanjoll të Esteponas, në rajonin e Andaluzisë. (A2 Televizion)