Kompleksi i bujtinave "Buni i Bajraktarit" në Qafë Thorë të Thethit, është një investim disa miliona euro për turizmin malor të kësaj zone.
Por çuditërisht, në një kohë kur kjo zonë ishte thuajse e pakalueshme për shkak të trashësisë së borës që arrin në mbi 4 metra, persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin bujtinave dhe njësive të shërbimit, barit dhe restorantit.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë lajmëruar policinë si dhe pronarin e bujtinave, i cili për mikrofonin e A2 shprehet se nuk ka asnjë konflikt apo hasmëri, ndërsa kërkon ndihmën e organeve ligjzbatuese për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

“Po mundohemi të mbledhim veten, shpresoj që policia të bëjë investigim. Unë nuk kam hasmëri, vij nga Londra, investimi është rreth 3 milionë euro. Tërhoqa rojën në janar nga dëbora, dhe kanë shfrytëzuar rastin. Këtu nuk ka kamera sigurie sepse nuk ka elektricitet”, thotë pronari Gezim Olaj.
Gjatë stinës së dimrit Thethi, një nga zonat turistike më të bukura malore të vendit tonë, është thuajse i bllokuar nga bora, ndërsa në zonë mungon edhe furnizimi me energji elektrike. (A2 Televizion)