
Forcat speciale RENEA kane arrestuar në qytetin e Elbasanit një prej emrave më të përfolur sa i takon botës së krimit në qytetin e Elbasanit, Ardian Çapjen 53 vjeç. Ndërkohë u shpall në kërkim një i afërm i tij, Florenc Çapja.
53 vjeçari Çapja është arrestuar në banesën e tij, ndërsa nga kontrolli forcat Renea gjetën edhe një automatik kallashnikov, që Çapja e mbante në banesë.
Arrestimi i tij është realizuar në kuadër të hetimeve për një vrasje të dyfishtë në vitin 2012, në qytetin e Elbasanit, ku mbetën të vrarë babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri. Për këtë vrasje dyshohen si autorë Ardian dhe Florenc Çapja.
Ndërkohë ndaj Ardian Çapjes janë kryer disa tentativa për eliminimin e tij fizik, ku më e fundit ishte ajo me snajper, ku Ardian Çapja u qëllua nga largësia brenda oborrit të banesës së tij, por që shpëtoi duke mbetur i plagosur.
Saga e hasmërive të familjes Çapja në qytetin e Elbasanit ka nisur që në vitin 2005, ku në një lokal u ekzekutua Sokol Çapja. (A2 Televizion)