
Një zjarr i madh shpërtheu të shtunën në burgun famëkeq të Evin, ku mbahen të dënuarit politikë, gazetarët dhe shtetasit e huaj. Sipas agjencive shtetërore të lajmeve 4 të burgosur u vranë dhe 61 të tjerë u plagosën, por burime brenda strukturës pretendojnë se numri i viktimave është më i lartë. tym dhe flakë u panë në videot e publikuara online, ndërsa mund të dëgjoheshin të shtëna armësh, shpërthime e po ashtu thirrjet “vdekje diktatorit”.
Turma të mëdha njerëzish u mblodhën jashtë burgut, qarkullimi u paralizuar dhe efektivë të policisë u panë ndërsa hynin në godinë. Një zyrtar i cituar nga media shtetërore tha se situata ishte vënë nën kontroll por gjithçka mbetet e paqartë, dhe xhirime të mëvonshme treguan se zjarri vazhdonte.
Irani është përfshirë prej javësh nga protestat antiqeveritare, të nxitura nga vrasja e 22-vjeçares kurde Mahsa Amini, teksa ishte ndaluar nga forcat e rendit. Autoritetet thonë se vdiq si pasojë e një infarkti po familjarët këmbëngulin se ishte rrahur për mos mbajtjen e shamisë nga policia.
Situata në burg mund të jetë e lidhur me demonstratat e fundit pasi qindra protestuar të arrestuar janë dërguar pikërisht në burgun Evin. 233 vetë janë vrarë, 32 prej të cilëve nën moshën 18-vjeçare që prej shpërthimit të protestave.
Burgu është kritikuar vazhdimisht nga grupe për të drejtat e njeriut, për metodat e torturave, burgosjen pa afat dhe mungesën e ndihmës mjekësore për të dënuarit. (A2 Televizion)