Digjet banesa në Vërdovë, një i vdekur dhe një familje në qiell të hapur

Nga A2 CNN
18 Janar 2021, 07:57 | Kronikë

Përfshihet nga flakët një banesë në Pogradec, duke shkaktuar vdekjen e një 42-vjeçari. Si pasojë shkrumbimit të banesës dykatëshe, një familje me fëmijë të mitur ka mbetur në qiell të hapur. Shkak, dyshohet një shkëndijë elektrike, por nuk përjashtohet edhe zjarri nga pakujdesia. Zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes, por mjeti nuk mundi të ngjitej për shkak të ngricave në rrugë.

Një person i vdekur dhe katër anëtarë të tjerë të familjes të mbetur në qiell të hapur, janë pasojat e zjarrit që përfshiu një ndërtesë dykatëshe në fshatin Vërdovë të Pogradecit. 

Zjarri dyshohet se është shfaqur në katin e dyte në dhomën ku qëndronte 42-vjeçari Nardi Xhukellari, që mbeti i vdekur në këtë ngjarje.

Fatmirësisht familjarët e vëllait të tij që banonte në katin e parë arritën t’u shpëtonin flakëve që përfshinë ndërtesën.

Edhe pse punonjësit zjarrfikës dhe policia mbërritën në vendngjarje, mjeti zjarrfikës nuk arriti dot të ngjitej deri tek banesa e përfshirë në flakë për shkak të ngricave në rrugë.

Në këto kushte zjarrfikësit me mjete rrethanore bënë çfarë mundën, por siç mund të shikohet edhe nga pamjet edhe disa ore pas shfaqjes së flakëve në banesën dykatëshe kishte ende vatra zjarri. Ndërsa një familje prej katër personash dhe me dy fëmijë të mitur kanë mbetur në qiell të hapur dhe pa arritur të shpëtojnë dot as rrobat e trupit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos