
Flakët e zjarrit kanë përfshirë këtë pasdite zonën torfike në fshatin Sheqeras të Korçës. Sipas informacioneve mësohet se janë djegur rreth 7 ha grurë. Zjarri është përhapur me shpejtësi në tokat e mbjella duke djegur kështu një pjesë të konsiderueshme të grurit .
Banorët e zonës, por edhe zjarrfikësit fatmirësisht kanë arritur ta shuajnë zjarrin e rënë duke evituar dëmin që mund të shkaktonte në sipërfaqe të mëdha me grurë.
Ndërkohë policia ka qenë në zonë, por ende nuk është përcaktuar shkaku i zjarrit edhe pse sipas specialistëve, torfa digjet në vetvete nga nxehtësia dhe temperaturat e larta.
Në vendngjarje ka shkuar edhe drejtori i policisë së qarkut të Korçës Gjovalin Loka dhe grupi hetimor i komisariatit të Maliqit, të cilët po hetojnë për shkaqet e zjarrit.
Burimet thanë se me shumë se një muaj më parë në afërsi të parcelës se mbjellë me grurë, ka pasur disa vatra zjarri që janë izoluar nga punonjësit të sektorit të ujitje kullimit të Bashkisë së Maliqit.
Te njëjta burime thanë se tre vatrat e zjarrit të shkaktuara ditën e sotme kanë qenë shumë pranë vatrave të izoluara vetëm pak ditë më parë, çka nuk e përjashton riaktivizimin e tyre duke shkaktuar 3 vatra zjarri për 7-8 hektarë grurë (A2 Televizion)