
Greqia duket se e kaloi më të keqen, sa i përket emergjencës së zjarreve. Pas dy javësh, përhapje të flakëve me intensitet të lartë, me Rodosin që u bë epiqendra kryesore, shumica e vatrave janë shuar.
Megjithatë, shërbimet e emergjencës po punojnë për të parandaluar vatra të reja në pjesën qendrore të vendit, nga ku shumë banorët u larguan për shkak të një shpërthimi masiv në një depo armësh një ditë më herët.
Flakët arritën depon e municioneve të forcave ajrore në zonën e goditur rëndë të Magnezisë, pranë qytetit të Nea Aghialos më 27 korrik.
Zjarri në depo shkaktoi shpërthime të fuqishme duke detyruar evakuimin e banorëve. Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Dendias, tha më 28 korrik se kishte urdhëruar një hetim mbi incidentin.
Sipas zëdhënësit të brigadës së zjarrfikësve, këta të fundit kishin bërë një “përpjekje mbinjerëzore”, por nuk kishin arritur dot të zbusnin zjarret e rindezura në zonën më të gjerë të Volos dhe në Aghialos.
Si pasojë e zjarreve të nxitura nga temperaturat ekstreme dhe erërat e forta, të paktën 5 persona humbën jetën në Greqi, u shkatërruan shtëpi, ferma dhe fabrika dhe u dogjën pjesë të konsiderueshme të tokave pyjore.
Në ishullin e Rodosit ku më shumë se 20 mijë turistë dhe vendas u evakuuan nga hotelet e shtëpitë, zjarret u shuan pas djegies së 10 për qind të sipërfaqes së ishullit.
Mijëra të evakuar pati edhe nga Korfuzi dhe Evia. Ekonomia greke mbështet fuqishëm te turizmi, që përbën mbi 18 për qind të GDP-së, dhe autoritetet po u bëjnë thirrje turistëve të mos tremben nga pamjet e transmetuara gjatë këtyre ditëve.
Ministrja e turizmit, Olga Kefalogianni, theksoi se vendi është i sigurt, përfshirë pjesën më të madhe të ishujve të prekur. (A2 Televizion)