
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, tha se të gjitha vatrat e zjarrit në Shqipëri janë vënë nën kontroll. “E vetmja vatër serioze ka mbetur Karaburuni, por edhe aty po punohet. Kemi shmangur që flakët të kërcënonin parkun e Llogarasë. Flakët kërcënuan edhe bazën e Pashalimanit, por ne do ta mbronim me çdo çmim”, tha Peleshi nga Orikumi, ku po ndiqte “luftën” me zjarrin bashkë me Prefektin e Vlorës, Flamur Mamaj.
Ministri falënderoi pjesëtarët e Forcave të Armatosura për përpjekjen e tyre. “Puna njerëzore ishte e jashtëzakonshme. Dua të falënderoj ushtarin e thjeshtë... Ata nuk dalin para mikrofonëve, por përballen me rrezikun çdo ditë. Pa ju thënë kush “faleminderit” bëjnë punën e tyre me sakrificë”, tha Peleshi.
Por Prefekti i Vlorës, Mamaj, tha se rreziku i përfshirjes së Parkut të Llogarasë nga flakët nuk është shmangur. “Erërat janë të paparashikueshme”, tha ai. (A2 Televizion)