
Strategji kombëtare dhe rritje e kapaciteteve njerëzore janë masat emergjente që sugjeron ish-kreu i emergjencave civile Shemsi Prençi, të cilat duhet të ndërmarrë qeveria për fatkeqësitë natyrore dhe krizat. I ftuar në Ditari në A2 CNN për situatën e zjarreve në vend, ai tha se duhet të rritet edhe shërbimi i inteligjencës në mënyrë që të identifikohen dhe parandalohen zjarrvëniet e qëllimshme.
“Kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që për fatkeqësitë e natyrës duhet strategji kombëtare me plan masash. Duhet të rritet së tepërmi shërbimi i inteligjencës se ka tendenca që zjarri mund të jetë i qëllimshëm, nga grupe interesi e grupe kriminale, nga të huaj, nga turistë, nga barinj, por edhe pa dashje nga fermerët që djegin mbetje e shkurre dhe u del nga kontrolli. Problemi qëndron te vlerësimi i situatës”.
Prençi thekson se duhen ndryshime edhe në Kodin Penal sa i takon ndëshkueshmërisë së zjarrvënënies, pasi sipas tij prej vitesh Shqipëria renditet në vendet e rrezikuara nga zjarret për shkak të pozicionit gjeografik.
“Kërkohet rritje e intensitetit të shërbimeve sekrete nga policia dhe prokuroria dhe ndryshim në Kodin Penal të Republikës për ndëshkueshmërinë e zjarrvënies. Duhet se alarmin e kemi prej 10 vitesh që Shqipëria rrezikohet nga zjarret për shkak të pozicionit gjeografik. Ka pasur prova për zjarrvënie të qëllimshme. Ndëshkueshmëria është fakultative, kërkohet ndryshim në Kodin Penal për ndëshkimin”.
Ndërsa bën përgjegjëse qeverinë për mosreagimin në kohë të situatës nga zjarret, Prençi thekson se ekzekutivi duhet të nxjerrë mësime duke investuar në infrastrukturë dhe kapacitete njerëzore. Sipas tij e vetmja mënyrë për të shuar zjarret është nga ajri, pasi rrjeti rrugor është skandaloz
“Strukturat qeveritare nuk reaguan fare, kishin marrë pushimet dhe zyrtari i lartë ishte në plazh. Zjarri kërkon gatishmëri të flotës ajrore, e cila tashmë është në gatishmëri zero sepse nga një fatkeqësi natyrore duhen nxjerrë mësime që qeveria të investojë në këto fusha që ka mangësi. Nuk kemi investuar për infrastrukturën dhe kapacitetet njerëzore. Ne kemi rrjet rrugor skandaloz. E vetmja rrugë efikase për të luftuar zjarrin është lufta nga ajri. Helikopterët e ushtrisë nuk janë ngritur në ajër. Helikopteri i ushtrisë është shfaqur dy herë, por jo për operacione me kova, edhe helikopteri çek që ka ardhur detyrohet të mbushë karburantin nga Vlora në Farkë se Ministria e Mbrojtjes nuk përgatitet për të dërguar distributorë mobil në Vlorë që helikopteri të mos vijë nga Vlora në Tiranë. Nuk ekziston plan masash operacional dhe koordinimi për faktorët shqiptarë. Ndryshe është operacioni në Greqi, ndryshe në Shqipëri”.
Për Prençin ushtria shqiptare është në nivelin më të ulët historik të shtetit shqiptar.
“Një vend i NATO-s që nuk ka helikopterë, po flasim për një ushtri që është katandisur në derexhe që gatishmëria është zero, zjarri në Karaburun e Sazan që kanë zgjatur dy javë pa reaguar shteti tregojnë që ushtria shqiptare nuk mund të mbrojë shtetin e vet, jo më popullin shqiptar, niveli më i ulët i ushtrisë shqiptare në historinë e shtetit shqiptar”. (A2 Televizion)