Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur një fushatë informuese dhe ndërgjegjësuese për tatimpaguesit që merren me tregtimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Në njoftimin përkatës bëhet me dije se fushata ka për qëllim rritjen e formalizimit të tregut, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Gjatë dy javëve të para, fushata do të fokusohet në sensibilizimin e fermerëve dhe tregtarëve për rëndësinë e lëshimit të faturave tatimore të fiskalizuara për çdo transaksion.
Pas kësaj periudhe informuese, një Task-Forcë e posaçme, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të terrenit, do të nisë kontrollet intensive për të verifikuar zbatimin e detyrimeve fiskale.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve thekson se mungesa e faturave tatimore do të sjellë penalitete, sipas legjislacionit në fuqi. Administrata Tatimore po ashtu i bën thirrje të gjithë tregtarëve dhe prodhuesve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë në krijimin e një ekonomie të ndershme dhe të qëndrueshme. (A2 Televizion)