Prokuroria e Shkodrës ka reaguar pas deklaratave të kryeministri Edi Rama i cili komentoi vendimin e prokurores Elsa Gjeli, sipas të cilit prokurorja legalizoi krimin në Theth. Në deklaratën e prokurorisë së Shkodrës thuhet se vendimi i prokurores Gjeli është marrë në përputhje me ligjin, pasi faktet e referuara nga policia e shtetit nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm.
“Strukturat e konstatuara dhe që janë referuar nga policia kanë qenë kontenjerë të përkohshëm pa themele, të vendosura mbi pllaka guri, dhe si të tilla nuk përmbushin kriteret për të konsideruar objekt ndërtimi sipas standardeve të përcaktuara në ligjin nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, i ndryshuar.
Vetë Policia, në procesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes është shprehur se, kontejnerët nuk janë vendosur mbi bazamente betoni, por kanë qenë të vendosura mbi rrasa guri të prera.
Sipas nenit 7, pika 3, gërma “i” e VKM nr. 408, datë 13.05.2015, e ndryshuar, strukturat që instalohen për nevoja të çastit dhe/ose të përkohshme, pa themele dhe me materiale të çmontueshme, nuk kërkojnë pajisje me leje ndërtimi, por vetëm deklaratë paraprake.
Vetë IMT, Bashkia Shkodër në shkresën e saj drejtuar Policisë Gjyqësore e ka klasifikuar faktin si kundërvajtje administrative, jo si vepër penale dhe në këto kushte duhet të kishin vepruar institucionet kanë në përgjegjësi menaxhimin e territorit”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Prokuroria thekson se “në këto kushte, mungesa e elementit objektiv dhe pasojës penale, sipas analizës së zbatuar të ligjit, e bën të pamundur ngritjen e ndjekjes penale dhe Prokurori, si organ kushtetues i pavarur, ka detyrimin ligjor që të vlerësojë faktet në përputhje me ligjin”.
Prokuroria thekson se çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cenon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës.
“Në një shtet të së drejtës, pavarësia funksionale e prokurorit garantohet nga Kushtetuta dhe nga ligji nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Prokuroria është një institucion kushtetues i pavarur që vepron në përputhje me ligjin, ku çdo vendimmarrje procedurale merret mbi bazën e fakteve dhe provave të administruara, dhe jashtë çdo ndikimi të jashtëm politik. Çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë direkte ose indirekte në vendimmarrjen e një prokurori cenon parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës”.
Prokuroria kujton se “respektimi i ndarjes së pushteteve është themel i funksionimit të shtetit demokrati dhe se ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv në proceset vendimmarrëse të institucioneve të drejtësisë, qofshin ato edhe përmes komenteve publike, mund të perceptohen si presion mbi institucionet e drejtësisë dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në këto institucione.
Vendimi për mosfillimin e procedimit penal nuk është një akt vullneti personal, por një akt ligjor, që mbështetet mbi rregullat themelore të të drejtës penale materiale dhe procedurale. Çdo shqetësim institucional duhet të adresohet përmes rrugëve të përcaktuara ligjore, dhe jo përmes mesazheve politike publike që synojnë t’i imponohen sistemit të drejtësisë. Shteti i së drejtës nuk mund të funksionojë nëse prokurori frikësohet për çdo vendimmarrje të ligjshme që mund të mos përkojë me interesat e pushteteve të tjera. Prokuroria mbetet e angazhuar për të kryer funksionin e saj në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin”, përfundon prokuroria e Shkodrës. (A2 Televizion)