Ndryshimi i kufijve, ministri grek: Politikë e së kaluarës, histori e vjetër që nuk i intereson kujt

Nga Arestina Skënderi
7 Korrik 2025, 17:33 | Politikë

Në përurimin e Konsullatës greke në Korçë, ministri i Jashtëm grek, Georgios Gerapetritis, deklaroi se politikat e ndryshimit të kufijve i përkasin të kaluarës.

“Historitë e vjetra nuk i interesojnë njeriut”, pohoi ai, teksa u duk sikur i mbylli derën përpjekës së Tiranës dhe Athinës zyrtare, për të zgjidhur çështjen e kufirit në gjykatat ndërkombëtare, shkruan A2.

Ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani, heshti për çështjen e kufinjve, por shprehu dëshirën për të krijuar urat e një partneriteti të qëndrueshëm. Në qytetin e Korçës u përurua godina e re e Konsullatës së Përgjithshme Greke, një objekt me rëndësi historike dhe simbolike, ku dikur ka shërbyer poeti i njohur dhe fituesi i Çmimit Nobel, Jorgo Seferis.

Ceremonia, e ndjekur nga autoritete të larta të të dy vendeve, u shoqërua me mesazhe të qarta politike, ku më i forti lidhej me çështjen e demarkimit kufitar mes dy vendeve, për të cilën palët kanë rënë dakord ta zgjidhin pranë gjykatave ndërkombëtare, në kushtet kur nuk bien dakord.

Por, Athina duket se e konsideron çështje të vjetër e pa interes: “Politikat e ndryshimit të kufijve i përkasin të kaluarës. Sot na bashkon një histori e përbashkët, vlera të përbashkëta dhe sidomos minoriteti grek, i cili është një urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi. Ashtu siç do të shkruante Seferis: “Historitë e vjetra nuk i interesojnë njeriut”.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Shqipërisë u tregua i kujdesshëm të shmangte referenca direkte mbi çështjen e kufirit, por për nevojën e një partneriteti të qëndrueshëm mes dy vendeve: “Le të jemi brezi që ndërton një partneritet të vërtetë dhe të qëndrueshëm mes Shqipërisë dhe Greqisë. Greqia ka qenë dhe mbetet partner i rëndësishëm për Shqipërinë. Siç thoshte Seferis: “Urat nuk ndërtohen me kujtime të hidhura, por me fjalë dhe kujtesë”.

Të dy ministrat theksuan rolin e minoritetit grek në Shqipëri dhe të komunitetit shqiptar në Greqi si ura natyrore lidhëse mes dy kombeve në rrugëtimin e tyre të përbashkët në Europë. Në këtë kontekst, godina e re e Konsullatës në Korçë nuk u pa thjesht si një investim diplomatik, por si nj ësimbol konkret i bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërshtetëror. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos