
Zv.ministri i Infrastrukturës, Etjen Xhafaj, jep disa detaje nga situata e paprecedentë e krijuar në Rinas dhe nga negociatat e dështuara mes palëve.
Sipas Xhafaj, në mes të negociatave, ka pasur një ndikim politik që vuri në rrezik sigurinë kombëtare.
“Që kanë qenë të pagatshëm për të vijuar punën jemi njohur më 3 prill, kur ka pasur një ofertë-kundërofertë, se ka qenë një proces negocimi.
Ajo që ka ndodhur këto muaj është se kemi llogaritur tarifat e shërbimit, sa do të ishin të ardhurat për kompaninë. Iu është bërë një ofertë që është refuzuar në fillim. Oferta ka qenë me strata. Një ofertë nëse do ishte minimumi trafikut, një ofertë nëse do të ishte mesatar me pritshmëritë dhe një ofertë nëse do të kishim një hapje, por për këtë duhet të presim sezonin veror, ndërkohë që vaksinimi ecën. Kjo ka qenë negociata.
Ka pasur një kundërofertë nga punonjësit e Albcontrol dhe në mes të kësaj është bërë një negociatë tërësisht politike se kjo nuk është situatë normale që ne ulemi dhe diskutojmë nivelin e pagave.
Që ka një ndërhyrje politike e tregon data, mënyra si ndodhi, pra këtu nuk po i vëmë emrin një ngjyre. Po diskutojmë për sigurinë kombëtare. Dje kemi qenë të rrezikuar sepse nuk kemi pasur asnjë kullë vrojtimi të hapur. Këtu kemi të bëjmë me një situatë të precedentë për impaktin që ka”, u shpreh Xhafaj. (A2 Televizion)