
Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Floreta Faber është takuar së fundmi, gjatë samitit të Këshillit Atlantik, me zv/ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker.
Përmes një postimi në Twitter, diplomatja shqiptare shkruan se zyrtari i lartë amerikan ka kërkuar që palët në Shqipëri duhet të përdorin institucionet për zgjidhjen e situatës aktuale. Sipas Reeker, bojkoti nuk është ajo që SHBA-të duan të shohin dhe se situata duhet të zgjidhet brenda kornizave kushtetuese.
Një ditë më parë, zv/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Reeker u takua dhe ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj të cili i shprehu mbështetjen e SHBA për qëllimin e Shqipërisë për çeljen e negociatave me BE në muajin tetor. (A2 Televizion)