
Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar ish-kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin, si një prej “12 kampionët e antikorrupsionit” në botë, një çmim i ri i nisur nga administrata Biden për të vlerësuar përpjekjet në luftën kundër korrupsionit.
Sekretari i Shtetit, Antony J. Blinken, tha se ky çmim ishte ngritur nga administrata e re për të nderuar përpjekjet për të luftuar korrupsionin, i cili “kërcënon sigurinë dhe stabilitetin, pengon rritjen ekonomike dhe minon demokracinë e të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në motivacionin e vlerësimit për Dvoranin dhe 11 të tjerëve, juristë nga Ekuadori, Guatemale, Iraku, Filipinet e Sierra Leone, thuhet se vlerësohet përkushtimi i këtyre individëve për të zbatuar të njëjtat ideale si Shtetet e Bashkuara: përkushtimi ndaj të vërtetës, transparenca dhe llogaridhënia.
“Individë që kanë punuar pa u lodhur, shpesh përballë kundërshtive, për të mbrojtur transparencën, luftuar korrupsionin dhe për të siguruar llogaridhënien në vendet e tyre”.
Motivacioni i çmimit për 12 fituesit, mes të cilëve edhe Ardian Dvorani
Dvorani u largua nga Gjykata e Lartë më 11 qershor me një vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, gati 7 vjet pasi kishte përfunduar mandatin. Më pas, ai u caktua me detyrë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Administrativ të Tiranës. Gjatë detyrës si kreu i KED ai ka pasur shpesh përplasje me presidentin Ilir Meta, sidomos gjatë procesit te emërimeve të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. (A2 Televizion)