1000 efektivë për 3 ditë nëpër male, asgjësohen 3543 bimë kanabis

Nga A2 CNN
27 Gusht 2023, 13:00 | Kronikë

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Fokusi” me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në fund të të cilit u asgjësuan mbi 3500 bimë kanabisi, si dhe u ndaluan disa persona.

Operacioni u shtri në terrene malore të Lezhës, Shkodrës, Krujës dhe Tropojës dhe në të u angazhuan 1000 punonjës policie dhe 25  dronë për 3 ditë me radhë.

Njoftimi i Policisë

3543 bimë të tjera narkotike cannabis sativa u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Ndalohet një autor i dyshuar për disa raste kultivimi në Kurbin dhe procedohet penalisht për shpërdorim të detyrës, kryetari i një fshati në Kukës.

878 bimë u asgjësuan në territorin e bashkive Lezhë, Mirditë dhe Kurbin, si rezultat i fazës së 34-t të operacionit “Imazhi”.

Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore dhe procedurale, Policia identifikoi dhe vuri në pranga autorin e dyshuar të kultivimit të 219 bimëve të asgjësuara në kuadër të fazave të mëparshme të operacionit “Imazhi”, shtetasin B. A., banues në Milot. Shtetasi B. A. i kishte kultivuar bimët narkotike, në sipërfaqe të ndryshme, në fshatin Malbardhë, Kurbin.

1932 bimë u asgjësuan në territorin e bashkive Shkodër dhe Vau i Dejës, si rezultat i fazës së 14 të operacionit “Alpe të pastra”.

688 bimë u asgjësuan në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 36 të operacionit “Territor i pastër”.

45 bimë u asgjësuan në fshatin Breg Lumë, Tropojë, si rezultat i fazës së 8 të operacionit “Bjeshkët e Nemuna”. Kryetari i këtij fshati u procedua penalisht, për shpërdorim të detyrës.

Ndërkaq, Policia në qarqe, në drejtimin e prokurorive përkatëse, vijon hetimet me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të kultivimit të këtyre bimëve narkotike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos