
Endri Hasa, anëtar i Kryesisë dhe sekretar për organizimin digjital në Partinë Demokratike, ishte i ftuar në studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, ku e konsideroi kuvendin e 11 dhjetorit si “mitingun më të dobët të organizuar ndonjëherë nga Sali Berisha”.
“Pse u përzunë gazetarët dhe kamerat nga stadiumi? Pse nuk u bë transparenca? Sepse nuk kishte delegatë, por kishte vetëm një miting dhe ishte mitingu më i dobët që ka organizuar në jetën e tij Sali Berisha. Ishte një miting i vogël, por kurrsesi nuk mund të jetë kuvend kombëtar i PD-së sepse partia funksionon me statut. Ka rregulla se si mblidhet kuvendi apo kryesia. Kryesia u mblodh dhe votoi për kuvendin në datën 18 dhjetor”, deklaroi Hasa.
Sipas tij, “marrja peng e opozitës dhe e Partisë Demokratike nuk është në interesin e shqiptarëve”.
“PD-ja do të shikojë përpara. Është një grupim që kërkon të përdorë demokratët për interesa personale. Këta njerëz duan të bëjnë vetëm zhurmë për halle personale”, theksoi Hasa.
Më tej, Endri Hasa nënvizoi se “Sali Berisha duhet të bënte atë që i premtoi demokratëve, të mos e përzinte Partinë Demokratike në betejën e tij ligjore”. (A2 Televizion)