
I pyetur se ku nuk pajtohet me Sali Berishën, në studion e Debatit me Alba Alishanin në A2 CNN, Oerd Bylykbashi renditi vlerësimet, përgjegjësinë, por edhe ato që pret nga lideri historik demokrat.
Duke e konsideruar një forcë të jashtëzakonshme politike, ai e bën përgjegjës që Berisha nuk reagoi në kohë dhe të mos e linte PD-në të rrëshqiste, po aq sa edhe për përzgjedhjen e Bashës
“Berisha është jo vetëm një lider historik i PD, por një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë politike. PD nuk është prodhuar vetëm prej tij por është i rëndësishëm. Është forcë politike e jashtëzakonshme. Pavarësisht moshës idetë e tij për demokracinë janë të forta dhe po aq të reja. Ka përgjegjësinë që nuk i bëri në kohë, që të mos rrëshqiste ka përgjegjësi për Bashës, që e përzgjidhi që e solli papritur në politikë, por shansi i jepet edhe të rinjve. Mua më janë dashur vite derisa të arrija deputet në PD. Kurse Basha ka krijuar një lloj ashensori ku ngjitet kushdo Basha. Berisha ka përgjegjësi nuk u shpreh në kohë, edhe pse unë e di që në 2017 me ka thënë që Basha duhej të largohej. Berisha kishte marrë vendimin të tërhiqej”.
Lëvizja e fundit e Berishës, sipas tij do të demokratizojë PD dhe do ta çojë drejt fitores. Bylykbashi pret që Berisha të realizojë ato premtime që ka thënë në të kundërt, kjo do të ishte kosto dyfish për të dhe PD.
“Ka ndërmarrë një lëvizje që ka demokratizmin PD dhe hapjen e saj drejt një lidershipi që do na çojë në fitore. Berisha ka përgjegjësinë përveç mea cupla të madhe dhe të besueshme ka bërë premtime të rëndësishme dhe kjo i shërben PD. E besojmë me skepticizëm derisa të provojmë të kundërtën. E besojmë të bindur. Ajo që unë pres është që ato që ka thënë t’i realizojë ndryshe do të ishte një kosto dyfish për të nëse ato që thotë nuk do t’i realizojë. Do ta bëjmë bashkë, është fuqia e tij që na ndihmon ne të tjerët për të shpartalluar bunkerin e Bashës. Besoj shumë që ato zhvillime që na presin do të jenë interesante dhe energjike. Në politikë fitoren e vendosin numrat përtej sondazheve që Bashën e tregojnë të shpartalluar, por edhe Kuvendi e ka marrë vendimin e me një mazhorancë prej 4446 anëtarësh”.
Sipas tij Basha është gati të manipulojë çdo gjë dhe fjala e tij nuk ka asnjë vlerë për Kuvendin e 11 dhjetorit.
“Një njeri që mendon që partia është brava dhe shula është gati të manipulojë çdo gjë. Asnjë fjalë që thotë Basha nuk ka vlerë në momentin kur kryetarët e seksioneve janë zgjedhur dhe atë mandat ata e kanë në korrik. Kanë ardhur personalisht dhe janë verifikuar në mënyrë unike dhe kanë firmosur”. (A2 Televizion)