Vitin e shkuar dolën në pension 13 mijë e 110 qytetarë. Nga 673 mijë e 813 në 2021-shin, një vit më pas numri i atyre që marrin një pagesë mujore pensioni arriti në 686 mijë e 923.
Rritje me ritme të shpejta të numrit të përfituesve si pasojë e plakjes së popullsisë dhe kontribues në vendnumëro si pasojë e emigracionit dhe informalitetit në tregun e punës. Dy anët e kësaj peshoreje po i afrohen barazimit.

Kjo do të thotë që norma e varësisë së sistemit, tregues i raportit mes atyre që derdhin kontribute dhe atyre që përfitojnë pension, arriti në 1.17 duke tejkaluar edhe skenarët më pesimistë.
“Kishim parashikuar që në vitin 2030 do të kishim një raport 11.1 kontribuues për 1 përfitues, por shifrat tregojnë se kjo mund të ndodhë edhe më herët. Kemi përballë një problemi që nuk mund të zgjidhet aq lehtë”, tha Klodian Muço, ekspert për ekonominë.

Megjithëse Instituti i Sigurimeve Shoqërore arriti të mbledhë më shumë para si pasojë e formalizimit të një pjese të të punësuarve dhe pagave, skema sërish e mbylli vitin me një deficit prej 21.3 miliardë lekësh, duke vijuar zgjerimin vit pas viti.
“Kjo do të thotë më shumë para nga buxheti i shtetit. Kur shteti nuk i ka këto para i duhet t’i marrë borxh. Kjo më pas ndikon në rritjen e kostove të borxhit. Kjo gropë zor se do të mbyllet ndonjëherë”, thotë Muço.
Me gjithë dy indeksimet, pensioni mesatar i pleqërisë, ra vitin e shkuar. Ai i qytetit ra në 16 mijë e 254 lekë vitin e shkuar, nga 17 mijë e 258 lekë që ishte në 2021-shin. Me 491 lekë u pakësua dhe pagesa e pensionit të pleqërisë në fshat.

Kjo pasi pensionet e reja që futen në skemë janë në vlera më të vogla, duke mos përfituar as nga indeksimet e duke ulur kështu mesataren e pensionit. (A2 Televizion)