
Të paktën 15 persona kanë humbur jetën si pasojë e shirave të dendur dhe rrëshqitjeve të dheut që goditën Brazilin, në veçanti shtetin e Rio de Zhaneiros, që nga e premtja e kaluar.
Reshjet e shiut filluan të enjten, duke çuar në rrëshqitje vdekjeprurëse të dheut në rajon. Vëllimi i shiut i regjistruar në 48 orët e fundit ishte më i larti i regjistruar në Angra dos Reis, sipas qeverisë bashkiake të qytetit.
Situatat më kritike u regjistruan në qytetin e Paraty, ku shtatë persona nga e njëjta familje; një nënë dhe gjashtë fëmijë, vdiqën nga një rrëshqitje dheu dhe në Angra dos Reis, ku mbrojtja civile raportoi gjashtë të vdekur dhe pesë të zhdukur.
Një tjetër emergjencë ka ndodhur në Mesquita, në Baixada Fluminense, ku sipas zjarrfikësve një burrë ka vdekur në një zonë tërësisht të përmbytur.
Paraditen e djeshme Instituti Kombëtar i Meteorologjisë Brazilian (Inmet) ka lëshuar një alarm, i cili do të zgjasë deri në orën 10:00 të mëngjesit të sotëm për shkak të vazhdimësisë së reshjeve të dendura në Rio de Zhaneiro.
Në fillim të shkurtit, të paktën 24 njerëz u vranë dhe më shumë se 1,500 u zhvendosën pasi shteti i São Paulo u godit nga shirat e dendur për ditë të tëra, duke shkaktuar përmbytje dhe rrëshqitje dheu. (A2 Televizion)