
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kryeministri Rama ka komentuar vendimin e Komisionit Europian për shpërndarjen e 651 mijë dozave të vaksinës Pfizer për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Rama shkruan se Shqipëria siguron dozën e dytë më të madhe nga kontrata e Bashkimit Europian me 6 vendet e rajonit për vaksinat Pfizer që BE do të shpërndajë në rajon.
Kryeministri reagon edhe ndaj kritikëve të tij për qëndrimin ndaj BE lidhur me vaksinat. “Plot 145 mijë vaksina nga 651 mijë gjithsej për Ballkanin Perëndimor, do t'i marrë Shqipëria, kështu që herë tjetër mos të nxitohen analistët gjithologë dhe politikanët llogjellogë, kur gjykojnë qëndrimet e mia ndaj BE, në emër të popullit shqiptar. Shumë faleminderit Komisionit Europian, Presidentes Von der Leyen, Komisionerit Varheley dhe ambasadorit Soreca, që e dëgjuan, repsektuan e përsëri po e ndihmojnë Shqipërinë, si miq të çmuar të këtij populli”. (A2 Televizion)