Heroinat për një jetë të re

Nga A2 CNN
20 Prill 2021, 13:36 | Aktualitet
Heroinat për një jetë të re

Mamitë, që shërbejnë në të gjitha maternitetet e vendit janë po aq të rrezikuara nga pandemia si çdo punonjës shëndetësor e sanitar në spitalet e vendit. Bluzat e bardha që kujdesen për të sjellë në jetë qindra fëmijë janë heronj të heshtur, jo gjithmonë të njohur për median dhe publikun, por që vazhdojnë të punojnë me përkushtim në një kohë kur bota është ende e pasigurt nga të panjohurat e pandemisë globale Covid-19 dhe mutacionet që po shfaqen.

Mamitë ndodhen aty në shërbim për t’i dhënë jetë një foshnje, dhe një tjetër çifti statusin e prindërve duke dhënë shpresë dhe optimizëm për ngjarjen e bukur që po ndodh në jetën e tyre. Roli i punonjësve të shëndetit është të edukojnë prindërit, pasi një nënë e re ka nevojë si emocionalisht dhe fizikisht të përgatitet për këtë ndryshim madhor në jetën e saj.

UNFPA në Shqipëri duke pasur në misionin e saj shëndetin riprodhues, i vlerëson mamitë si tejet të rëndësishme edhe në rolin e kujdesit që duhet të kenë për nënat kur sjellin fëmijën në jetë ose kur përjetojnë episode paniku për shkak të  Covid-19 apo nga patologji të tjera.

OBSH-ja raporton se 223 vende të botës janë duke vuajtur seriozisht pasojat e Covid-19 me 181 milionë raste në total të prekur dhe rreth 4 milion persona që kanë humbur jetën të raportuara nga autoritet shëndetësore të vendeve respektive. Në këtë statistikë, mamitë janë aty si çdo njeri tjetër apo punonjës shëndeti që janë duke ushtruar detyrën e tyre në spitalet publike.

UNFPA në Shqipëri thotë se mamitë luajnë një rol të rëndësishëm në përgjigjen që japin ndaj situatave kritike siç është pandemia duke u kujdesur që gratë shtatzëna të kenë lindje të sigurt. Sugjerimet që bën UNFPA në botë, janë që pavarësisht urgjencave mjekësore të nevojshme që kanë spitalet Covid, mamitë të mos devijohen në spitale të tjera por të vazhdojnë të jenë në maternitetet përkatëse pasi ardhja në jetë e një fëmije dhe shëndeti i nënave është kaq i rëndësishëm.

Duke treguar kujdes të veçantë për mamitë, ato do kenë mundësi që të vizitojnë gratë shtatzëna edhe në shtëpitë e tyre në zonat rurale duke i dhënë mundësinë  të shmangin kontaktet me spitalet për të ulur riskun e infektimeve. Kjo vetëm nëse nuk ka urgjenca shëndetësore dhe situata mund të menaxhohet në kushtet e shtëpisë.

Vëmendja ndaj mamive dhe infermierëve duhet të jetë e shtuar edhe për faktin se profili i tyre profesional lidhet edhe me kujdesen ndaj shëndetit seksual dhe riprodhues, planifikimit familjar, kujdesi pas lindjes. Gjithashtu këta punonjës së shëndetësisë kujdesen edhe ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje dhe me bazë gjinore.

UNFPA u bën thirrje politikbërësve, qeverive, partnerëve të mbrojnë fuqinë punëtore të shëndetit të nënës duke siguruar që burimet, mbështetja dhe furnizimet e nevojshme për të siguruar kujdes cilësor të jenë vazhdimisht në dispozicion.

Por edhe pas muajve të vështirë për secilin prej nesh, jeta vazhdon dhe lindjet do të jenë një motiv më i madh për të dominuar mbi të keqen. Ndaj profesionistët e shëndetit dhe kryesisht mamitë duhet të jenë në vëmendjen e politikëbërjes dhe politikave sociale në mënyrë që ata të punojnë në kushte te sigurta për të asistuar në ardhjen në jetë të çdo vogëlushi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos