
Aeroporti i Kukësit, i pagëzuar me emrin “Zayed, Flatrat e Veriut” u inagurua nga kryeministri Rama në kulmin e fushatës elektorale. Por nga premtimi i parë për vënien e tij në funksion, deri në fluturimin e parë, Kukësit iu desh të priste një kohë të gjatë.
I ndërtuar në vitet 2000 si një dhuratë nga princi i Emirateve të Bashkuara Arabe, emrin e të cilit mban aktualisht, qëllimi i tij i parë ishte të shërbente për të furnizuar me ndihma refugjatët e dëbuar nga Kosova.
Në vitin 2009 gjatë fushatës për zgjedhjet e qershorit të atij viti, në aeroport u bë një fluturim prove, por ai nuk mund të hapej për shkak se kontrata koncesionare e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nuk lejonte aeroporte të tjera në vend.
Me negocimin e kushteve dhe zgjatjes së kontratës së Rinasit, ky kusht u hoq dhe nisën përpjekjet konkrete për të vënë Kukësin në punë.
Sipas një deklarate të kryeministrit Rama të prillit 2018, aeroporti i Kukësit duhej të ishte vënë në funksion deri në fund të atij viti.
“Jam shumë optimist që për festat e fundvitit, kuksianët që do vijnë nga jashtë në shtëpi përmes atij aeroporti.”, deklaronte Rama.
Një vit më pas, Rama i shtoi edhe një vit tjetër afatit për këtë premtim.
“E rëndësishme është që sot, këtë punë e nisim për të përfunduar punimet civile brenda një viti dhe pastaj për të bërë sa më shpejt të gjitha certifikimet e nevojshme ndërkombëtare, në mënyrë që të fillojmë fluturimet.”
Mirëpo edhe ky afat nuk u përmbush. Punimet për zgjerimin e aeroportit të Kukësit nisën vetëm në prill të vitit të shkuar, proces i cili u has në vonesa për shkak të nevojës për të paguar shpronësimet e rreth 30 familjeve.
Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku, tha në ceremoninë e inaugurimit se aeroporti do të ketë edhe disa testime të tjera dhe fluturimet ndërkombëtare fillojnë zyrtarisht në 17 qershor. (A2 Televizion)