
Presidenti Bajram Begaj u prit nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilën e uroi për 15-vjetorin e pavarësisë.
Begaj vlerësoi ecurinë e shkëlqyer të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe i konsideroi ato jo vetëm vëllazërore e të natyrës strategjike, por dhe shumë dinamike. Një vëmendje të veçantë Presidenti ia kushtoi kontributit të Kosovës për paqen dhe sigurinë e rajonit duke nënvizuar se “Kosova rrezaton sot vlerat më të larta perëndimore e demokratike në mbrojtje të pakicave etnike e të drejtat e njeriut, si dhe pavarësisht se një shtet i ri, po tregon humanizëm e solidaritet të plotë për Ukrainën dhe popullin e saj të agresuar ushtarakisht nga Rusia”.
Kreu i Shtetit theksoi gjithashtu, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë në adresimin e provokimeve e sfidave me të cilat po përballet Kosova, si në kuadër të negociatave me Serbinë, ashtu edhe në kuadër të procesit të njohjes dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare dhe ato rajonale.
Po ashtu duke u ndalur në rrugëtimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës, Presidenti Begaj, shprehu mbështetjen e plotë të Shqipërisë, si dhe besimin se së shpejti edhe shtetasit e Kosovës, do të mund të lëvizin pa viza në hapësirën e BE-së. (A2 Televizion)