160 të pasionuar pas motorëve Vespa dhe Lambretta janë bërë pjesë e "Giro di tre mari" një tur turistik që organizohet nga klubi i vespave në Bari të Italisë.
Ky tur vjen në Shqipëri për herën e dytë të tij dhe Maurizo de Pasquale thotë se pasi kanë njohur lokalitetet bregdetare, tashmë po njohin të gjithë Shqipërinë.
"Vespa Club Bari është ai që organizon këtë aktivitet që prej vitit 2005, xhiron e 3 deteve, ka qenë gjithmonë një xhiro turistike me vespa dhe Lambreta. Quhet xhiro e 3 deteve sepse duhet të prekë 3 dete, Adriatikun, Jonin dhe Mesdheun. Hera e parë e xhiros së 3 deteve ishte 2018 në Shqipëri dhe kemi prekur të gjitha lokalitetet e vendosura në det nga Durrësi deri në Sarandë. Këtë vit kemi ribërë një edicion special në Shqipëri me qëllimin për të njohur vendet brenda Shqipërisë si Elbasani, Liqeni Ohrit, Pogradeci, Korça, Voskopoja në të cilat kemi parashikuar shëtitje me motorët. Këtu marrin pjesë italianë, francezë, zviceranë, gjermanë, anglezë dhe luksemburgas, janë në total rreth 160 pjesëmarrës. Ky është një promocion i madh turistik për Shqipërinë sepse e meriton sepse ne nga Bari e shohim popullin shqiptar si popull vëlla dhe jemi të integruar së bashku prej shumë kohësh."
Maurizio De Pasquale, President i Club Vespa, Bari
Në këtë tur special siç e quajnë ata, itinerari ka nisur nga Durrësi drejt Liqenit të Ohrit e më pas drejt Korçës dhe disa qyteteve të tjera. Pjesëmarrësit shprehen të surprizuar nga njerëzit dhe mikpritja.
“E pranova me kënaqësi ftesën për të qenë pjesë e këtij aktiviteti. Që kur mbërrita kam parë disa vende dhe janë shumë të bukura. Hëngra drekë, na thanë që është traditë këtej, me shumë mish dhe oriz. Shqipëria është një vend i vogël, kam qenë në Greqi dhe Maqedoni, por jo këtu, është hera e parë dhe është shumë bukur.”
Ralf Jodl from SIP Scootershop Germany
"Jam anglez jetoj prej 30 vitesh në Itali, kam qenë 6-7 herë në Shqipëri. Vend fantastik, ne me motorët tani vizitojmë Shqipërinë. Unë ngas një Lambretta. Këtu në rajonin e Korçës nuk kam qenë kurrë, kemi qenë përgjatë bregdetit, në Shqipërinë qendrore, kjo zonë dhe njerëzit këtu qenkan fantastikë. Unë i dua shqiptarët, njerëzit kanë një koncept të gabuar për shqiptarët, por unë sa herë kam qenë këtu jam trajtuar shumë mirë, janë fantastikë.”
Dean Orton from Rimini Lambretta
Në "Giro di tre mari" këtë vit marrin pjesë me qindra të pasionuar pas vespave dhe Lambrettave dhe tashmë ky aktivitet është kthyer në një promotor të rëndësishëm për vendet në zhvillim. (A2 Televizion)




