
Moti i keq me reshje shiu dhe erë të fortë, që përfshiu Vlorën, mbrëmjen e së enjtes, e ka bërë të pamundur ankorimin e tragetit me pasagjerë që mbërriti nga Brindisi i Italisë në portin e Vlorës. Kjo ka bërë që trageti të dalë sërish në det të hapur, ndërsa 118 pasagjerët për gati 17 orë, qëndruan të bllokuar në traget.
Pas ankorimit në mbrëmje, pasagjerët të lodhur dhe të sprovuar shprehen se nuk janë lajmëruar dhe çdo gjë u është dashur ta paguajnë vetë. Disa prej tyre, shprehen se kanë ndenjur pa ngrënë për shkak të çmimeve të shtrenjta.
Ndërkohë reshjet e dendura të shiut, shkaktuan rrëshqitje dherash edhe në aksin Vlorë-Orikum në vendin e njohur si Jonufra. Për gati dy orë, sasia e baltës mbuloi rrugën dhe bllokoi qarkullimin.
Pas ndërhyrjes së mjeteve të emergjencave civile, u bë e mundur hapja e një kahu të rrugës, duke alternuar trafikun. Ndërkohë reshjet në zonën e Vlorës, priten të vazhdojnë edhe gjatë fundjavës. (A2 Televizion)