
Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Arben Vitia, në daljen e tij të fundit për shtyp, bëri me dije se bilanci i personave të prekur nga koronavirusi në vend ka arritur në 17.
Ai informoi publikun kosovar se dy pacientë janë nxjerrë nga Klinika Infektive dhe po trajtohen në shtëpi pasi gjendja e tyre është përmirësuar.
“Deri tani janë testuar 271 mostra të dyshimta, 17 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Gjendja e të prekurve në Klinikën Infektive është e qëndrueshme me përjashtim të pacientit të moshuar, i cili herë pas herë trajtohet me oksigjen”, deklaroi Vitia.
Ministri Vitia u bëri thirrje qytetarëve që të mos kenë panik pasi janë marrë të gjitha masat dhe rezervat me ilaçe në vend janë të mjaftueshme. (A2 Televizion)