
Shkon në 16, numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Kosovë.
Një grua që kishte ardhur të hënën nga Londra është rasti më i fundit i konfirmuar me Covid-19. Autoritetet shëndetësore të Kosovës njoftojnë se gjendja e saj është e qëndrueshme.
Gjithashtu ripërsëriten thirrjet për të respektuar distancën e sigurisë dhe për të reduktuar daljet nga shtëpia vetëm në raste emergjente.
Ndërkohë, qytete të shumta të Kosovës po dezinfektojnë rrugët dhe hapësirat publike, ndërsa janë vendosur dhe gjoba për ato biznese që nuk respektuan urdhrin e qeverisë për pezullim të aktivitetit.
Presidenti Hashim Thaçi, u takua me komandantin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama, të cilit i kërkoi mobilizim në përballimin e krizës së shkaktuar nga përhapja e Covid-19. (A2 Televizion)