2.8 miliardë njerëz shijojnë eklipsin e Hënës

Nga A2 CNN
21 Janar 2019, 10:52 | Lifestyle

“Superhëna e përgjakur” po bën xhiron e botës, që prej mbrëmjes së të dielës. Ajo që njihet si eklipsi Hënor e që ishte i dukshëm edhe në Shqipëri në orët e para të mëngjesit pushtoi qiellin në një spektakël në ngjyrë të kuqe të shndritshme.

Gjatë këtij procesi, hëna shfaqet më pranë tokës se normalisht. Superhëna e përgjakur ishte e dukshme fillimisht në Amerikën Veriore dhe Jugore, sikurse dhe në një pjesë të mirë të Europës Perëndimore ndërsa në Britaninë e Madhe, retë e zeza e prishën paksa imazhin e kuqërremtë të saj.

Ky ishte eklipsi i parë Hënor për këtë vit. Superhëna merr emrin pasi Hëna e plotë e re, përkon me pikën më të afërt të Tokës në orbitën e saj mujore.

Gjatë këtij eklipsi, Hëna, sateliti i vetëm natyror që ka Toka, ndryshon nga e argjendtë në të kuqwrremtë, për shkak të bllokimit të dritës së diellit nga hija e Tokës, kur Toka kalon mes Diellit dhe Hënës. Përveçse është e kuqe Hëna do të shfaqet më e madhe dhe më e shndritshme se zakonisht.

Eklipsi më i madh i Hënës mbetet ai i 27 korrikut të vitit të kaluar, i cili zgjati plot 103 minuta. Eklipsi Hënor i ardhshëm do të jetë më 16 korrik të 2019 dhe do të jetë i pjesshëm ndërsa e plotë superhëna e përgjakur rikthehet në maj të 2021. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos