2 operacione policore në 12 orë në Mirditë, pranga 3 personave, sekuestrohet mbi 49 kg drogë

Nga A2 CNN
29 Janar 2022, 10:51 | Kronikë
2 operacione policore në 12 orë në Mirditë, pranga 3

Policia e Lezhës ka organizuar brenda 12 orëve dy operacione policore për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve në zonën e Mirditës. Gjatë operacioneve “Munella” dhe “Kaçinari” janë sekuestruar në total 49.6 kg kanabis, janë arrestuar 3 persona si dhe është proceduar në gjendje të lirë një tjetër.

“Në kushte të vështira të motit dhe në terren të thyer malor, shërbimet e Policisë Lezhë, në bashkëpunim me FNSh Shkodër,  mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar me sukses, brenda 12 orëve,  2 operacioni policore në kuadër të të cilëve, janë vënë në pranga 3 shtetas dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike”, njofton policia.

Në operacionin policor të koduar "Munella", në fshatin Domgjon,  Fanë, Mirditë, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të ushtruara në banesat e shtetasve V.Ll. dhe P.N., kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 31 kilogramë e 600 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa,

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: V.Ll., 49 vjeç, lindur në Domgjon, Mirditë, banues në Zejmen, Lezhë dhe P.N.  43 vjeç, lindur në fshatin Xhuxhë, Mirditë, banues në Tale, Lezhë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve,  kryer në bashkëpunim, thuhet në njoftim.

Në kuadër të operacionit  policor të koduar "Kaçinari " , në fshatin Arrëz, Kaçinar , shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit B.Ç. dhe kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 18 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:B.Ç.,36 vjeç, banues në fshatin Arrëz,Mirditë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve ", si dhe proceduan penalisht në gjëndje të lirë për shkak të problemeve shëndetësore, babain e tij shtetasin P.Ç., thuhet në deklaratën e Policisë

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos