2 rastet me Covid-19, Manastirliu: Janë izoluar kontaktet e ngushta me të prekurit, nuk ka vend për panik

Nga A2 CNN
9 Mars 2020, 10:15 | Aktualitet
2 rastet me Covid-19, Manastirliu: Janë izoluar kontaktet e ngushta me

Ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu raportoi në mbledhjen e qeverisë për dy personat e parë që rezultuan me koronavirus në vendin tonë.

Ministrja Manastirliu deklaroi se të infektuar me Covid-19 janë babë e bir banues në Tiranë. Ajo shton se janë marrë të gjitha masat dhe janë izoluar dhe kontaktet e afërta që ata kanë pasur.

“Janë konfirmuar dy rastet e para me Covid-19. Bëhet fjalë për dy qytetarë të moshave 54 dhe 28 vjeç, banues në Tiranë. Njëri është rast i importuar që ka hyrë nga Firence në Shqipëri nga pika kufitare e Hanit të Hotit më 26 shkurt, ndërkohë që babai është rast i konfirmuar si kontakt i ngushtë. Është kontaktuar numri 127 i Urgjencës Kombëtare, menjëherë sipas protokolleve janë marrë mostrat djalit dhe babait të cilët kanë pasur shenja klinike. Mostrat janë dërguar në laboratorin e virologjisë ku rezultuan pozitive. Pas daljes së rezultateve ekipi ka kryer identifikimin, izolimin e kontakteve të ngushta, morën mostrat e tyre dhe kontaktet e ngushta janë izoluar. Të dy qytetarët po marrin shërbim pranë Infektivit në QSUT”, tha Manastirliu.

Më tej, ministrja e Shëndetësisë përsëriti edhe njëherë thirrje për publikun se nuk ka nevojë për panik. Sipas Manastirliut të gjitha ekipet janë në krye të detyrës. Ajo iu kërkoi qytetarëve që nëse kanë simptoma të gripit të kontaktojnë 127 dhe të mos shkojnë vetë në spitale.

“Thirrje qytetarëve për qetësi. Ekipet e urgjencës ndodhen në gatishmëri dhe ekspertët tanë të Shëndetit Publik. Mjekët dhe infermierët janë në ballë të kësaj situate duke iu përgjigjur të gjitha rasteve. I kemi planifikuar të gjitha skenarët me ekspertët. Personat që kontaktohen nga ekipet tona të bashkëpunojnë për të mirën e tyre dhe të të afërmve. Nuk ka arsye për panik. Ekspertët janë në krye të detyrës dhe do vijojnë të jenë. Çdo orë ka përforcim të masave. Përsëris thirrjen për qytetarët që nëse kanë simptoma si ato të gripit të kontaktojnë 127. Ekipi i Epidemiologeve do të paraqitet tek ta. Qytetarët të mos shkojnë në spital pa shenja klinike apo pa kontaktuar Urgjencën Kombëtare. Virusi nuk shpërndahet nëpërmjet ajrit, po nëpërmjet kontakteve”, përfundoi Manastirliu. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos