Koronavirusi në Shqipëri, konfirmohen dy rastet e para

Nga A2 CNN
9 Mars 2020, 07:05 | Aktualitet
Koronavirusi në Shqipëri, konfirmohen dy rastet e para

Konfirmohen dy rastet e para me COVID-19 në Shqipëri. Ata janë babë e bir dhe sipas Ministrisë së Shëndetësisë gjendja e tyre është e stabilizuar dhe nuk paraqesin ndërlikime.

Fillimisht Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se djali 28-vjeçar dhe babai 54 vjeç janë banues në Tiranë dhe se kishin mbërritur me makinë personale nga Firence në Shqipëri nga Hani i Hotit. Më pas, në mbledhjen e qeverisë, Ministrja e Shëndetësisë pohoi se vetëm djali ka udhëtuar nga Italia në datën 26 shkurt, dhe se i ati është infektuar në Shqipëri prej tij.

“Menjëherë pas shfaqjes së shenjave klinike dhe lajmërimit të Urgjencës Kombëtare në nr. 127 iu janë marrë mostrat, të cilat u konfirmuan mbrëmë nga laboratori i virologjisë në ISHP”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ministria u bën thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e higjienës, sipas njoftimeve që janë bërë gjatë gjithë kësaj kohe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos