
Presidenti Ilir Meta ka bërë një apel të fortë publik lidhur me marrjen e masave emergjente kundër koronavirusit.
Sipas Kreut të Shtetit, duke qenë se virusi i ri po vijon përhapjen në Itali dhe Greqi, dy vendet me të cilat kemi “shkëmbimet më intensive”, situata “imponon aplikimin e masave të "zonës së kuqe", si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24”.
“Kam ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet lidhur me pandeminë e koronavirusit, që për fat të keq janë rënduar së tepërmi, kur të gjithë do të donim që të ndodhte e kundërta. Në 31 janar të këtij viti kam tërhequr publikisht vëmendjen për marrjen e masave sanitaro-epidemiologjike shumë të forta nga vendi ynë, edhe pse atëhere Italia kishte vetëm 2 të prekur nga koronavirusi. Sot situata paraqitet shumë më e rënduar në të gjithë botën, ku rezultojnë 106 vende të prekura, ndërsa Italia veçanërisht ka një rëndim ekstrem me mbi 5061 raste dhe rreth 233 vdekje. Duke vlerësuar këtë situatë shumë serioze epidemiologjike rajonale; faktin që situata në Itali është rënduar duke kapërcyer edhe “zonën e kuqe”, me përshkallëzim në të gjithë territorin e saj me një mortalitet të lartë rreth 4,4%, dhe imponuar marrjen prej saj të masave shumë të forta kufizuese; rritjen shumë të shpejtë të rasteve të infektuara në Greqi; shfaqjen e rasteve të koronavirusit edhe në vende të tjera të rajonit tonë që rezultonin të paprekura; në informacionin që Organizata Botërore e Shëndetësisë jep për karakteristikat e këtij virusi e rreziqet serioze që ai paraqet; apeloj se është emergjente forcimi maksimal i masave parandaluese sanitaro-epidemiologjike; Për shkak se gjendja në Itali, por edhe përhapja në rritje në Greqi, dy vende me të cilat kemi shkëmbimet më intensive, imponon aplikimin e masave të "zonës së kuqe", si ato të marra në Itali, aplikimin e të gjitha kufizimeve e veprimeve që ky regjim kërkon, si dhe marrjen e masave organizative energjike dhe të monitoruara 24 orë në 24; Vënien në dispozicion të financimit të plotë, shumë më të madh se ai i deritanishëm, për përballimin e situatës si dhe sigurimin e mbrojtjes së plotë dhe efikase të të gjithë personelit mjeksor të mobilizuar për përballimin e situatës; Angazhimin e të gjithë kualiteteve njerëzore shkencore, por edhe të atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë e higjienës, qofshin edhe jashtë shërbimit aktiv”, lexohet në apelin e Metës. (A2 Televizion)